image Policia bëhet gati për ndërrimin e motmoteve

Siguri

Siguri/ Policia bëhet gati për ndërrimin e motmoteve

news image

Policia e Kosovës edhe për festat e këtij fundviti ka përgatitur urdhrin operativ “Fundviti – 2019 dhe fillimi i 2020” për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike në tërë territorin e vendit tonë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë se një gjë e tillë bëhet me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, shtimi i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale, si dhe parandalimi i rasteve të mundshme të natyrave të ndryshme.

Po ashtu pjesë e planit është edhe shtimi i prezencës policore në komunikacionin rrugor me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe incidenteve të mundshme në trafik, andaj Policia e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët e vendit, që të respektojnë dispozitat ligjore, të respektojnë shenjat e trafikut, të ju përmbahen kushteve të rrugës si dhe të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të alkoolit.

“Policia e Kosovës apelon te çdo prind që të jenë më të kujdesshëm dhe më vigjilentë në parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike sidomos nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse, fishekzjarrët ku si pasojë e mospërdorimit adekuat të tyre vite më parë janë evidentuar incidente me pasoja të rënda. Në të kundërtën Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme ligjore kudo që vëren se janë përdorur armë apo mjete tjera të kundërligjshme”, ka thënë Hoxha./Gazeta Sinjali/