Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar dje në fshatin Sfaraqak të Vushtrrisë, pasi gjyqtari i procedurës paraprake dha urdhër që të kryhet bastisje në shtëpinë e një të dyshuari.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit të shtëpisë, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë pa leje përkatëse dhe një mjet të mprehtë, thikë.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit.
Ndërsa me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“