Mbi 20 kosovarë ishin bërë pjesë e skemës së mashtrimit me viza pune në BE nga dy të rinj të moshës 24 dhe 25-vjeçare.
Policia e Kosovës ka arritur që t’i arrestoj dy të dyshuarit gjatë ditës së sotme të cilët u kishin marrë personave të tjerë kopje dokumentesh, të dhëna personale duke u premtuar se do t’ua rregullojnë vizat e punës në BE, raporton Gazeta Sinjali.
Por përveç se kosovarët ishin mashtruar, personin që u premtonin viza pune me të dhënat e qytetarëve futeshin në kredi online.
“A. E. (24) dhe K. G. (25), të arrestuar më 22 dhe 23 tetor, dyshohet se kanë marrë nga persona të tjerë kopje dokumentesh, të dhëna personale, duke u premtuar, se do t’ua rregullojnë vizat e punës për BE dhe të njëjtit me të dhënat e tyre kanë aplikuar për kredi online, duke përfituar shuma të ndryshme të parave”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, dy të dyshuarit një veprim të tillë kishin qenë duke e bërë për një kohë të gjatë. Deri më tani dihet se më shumë se 20 qytetarë ishin bërë pjesë e këtij mashtrimi.
“Mbështetur në rezultatet e para të hetimit është ngritur dyshimi i arsyeshëm se ky mashtrim ka ndodhur në vazhdimësi, për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar arrin mbi 20 qytetarë të ndryshëm”.
“Policia kërkon nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla, të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për ta mundësuar dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të këtyre personave”.
“Personat e arrestuar janë dërguar në qendrën rajonale të paraburgimit në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale, para se rasti të dërgohet në institucionet kompetente”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës./Gazeta Sinjali/