Policia e Pejës nga dita e sotme do të aplikojë masa të reja ndaj vozitësve që parkojnë veturat në vende të ndaluara.
Të gjitha automjetet e parkuara në vendet e ndaluara në këtë qytet do të konfiskohen nga Policia e Pejës.
Në një deklaratë për media thuhet se tërheqja e automjeteve që janë të parkuara në vende të ndaluara do të nisë nga dita e sotme dhe ajo ka për qëllim ngritjen e nivelit sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve, ruajtjen e jetës së qytetarëve, parandalimin e të gjitha llojeve të aksidenteve, në veçanti të atyre me pasoja fatale.
Policia sqaron se gjatë kontrolleve në rrugë është edhe mundësia e vendosjes së bllokuesve në automjete në rastet kur tërheqja me kamion tërheqës nuk është e nevojshme.
Për më tepër, policia ka sqaruar edhe gjithë procedurën pas vlerësimit të zyrtarit policor se është e nevojshme vendosja e bllokuesve i njëjti të vendoset nga kompania në prezencën e zyrtarit policor.
Personi përgjegjës i kompanisë që e vendos bllokuesin po ashtu e vendos edhe një letër në xhamin e veturës në të cilin janë numrat e kompanisë të cilin numër kundërvajtësi e thërret kompaninë dhe pastaj personi përgjegjës i kompanisë vjen dhe e zhbllokon veturën pasi që kundërvajtësi i kryen obligimet (pagesat) ndaj kompanisë.
Gjatë zhbllokimit të veturës prezent duhet të jetë edhe zyrtari policor i cili i shqipton tiketën për kundërvajtje, pra edhe zhbllokimi i veturës bëhet në prezencën e zyrtarit policor.
Kundërvajtësit nuk i lirohet vetura derisa t’i kryejë obligimet (pagesat) ndaj kompanisë për tërheqje, kurse sa i përket pagës së tiketës lëshuar nga policia procedurat dihen se si rrjedhin.
Dëmtimi i bllokuesve nga kundërvajtësit, është vepër e dënueshme e cila kushton dhe duhet paguar kompanisë, thuhet në njoftimin e Policisë rajonale në Pejë./Gazeta Sinjali/