image Policia aksion në Gjakovë, arrestohen shtatë persona që u kapën duke luajtur bixhoz

Siguri

Policia aksion në Gjakovë, arrestohen shtatë persona që u kapën duke luajtur bixhoz

news image

Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm, shkruan Gazeta Sinjali.

Mbrëmë rreth orës 19:00, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në një lokal në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’ në Gjakovë, ku dyshohet se po zhvilloheshin lojëra të fatit.

Përmes një komunikate për media, Policia njofton se shtatë persona janë arrestuar, pasi të njëjtit janë kapur duke luajtur lojën e fatit, të njohur ‘Barbut’.

“Stacioni Policor në Gjakovë, konkretisht Njësia e Hetimeve, përmes rrugëve operative dhe hetimore kishte pranuar informatë se në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Gjakovë ishin duke u zhvilluar lojëra të fatit (bixhoz i paligjshëm). Me datën 09.11.2022 rreth orës 19:00, në koordinim me Prokurorin e Shtetit është realizuar kontroll në lokalin ku dyshohej se ishte duke u zhvilluar dhe organizuar bixhoz i paligjshëm. Gjatë kontrollit në atë lokacion janë hasur dhe arrestuar shtatë persona të cilët ishin duke luajtur lojën e fatit të ashtuquajtur “Barbut””, thuhet në njoftim.

Me urdhër të prokurorit, personi që dyshohet se organizoi lojën dhe ka në pronësi lokalin ku u krye bastisja, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

59-vjeçari do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.

/GazetaSinjali/