image Polici që plagosi të dyshuarin për vrasjen e rëndë në Ferizaj subjekt i hetimit, ky është dyshimi që rëndon mbi të

Drejtësi

Polici që plagosi të dyshuarin për vrasjen e rëndë në Ferizaj subjekt i hetimit, ky është dyshimi që rëndon mbi të

news image

Një pjesëtar i Policisë, nga Njësiti Antidrogë në Ferizaj po hetohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për dy vepra penale pasi dyshohet se në natën tragjike kur u vra Gazmend Hyseni, për ta zmbrapsur rrezikun ka plagosur të dyshuarin Qëndrim Januzi, raporton Gazeta Sinjali.

Prokurori Shukri Jashari në një prononcim për Gazetën Sinjali ka deklaruar se tani për tani mbi zyrtarin policor rëndojnë dyshimet se ka kryer veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

Vepra e parë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kryhet kur “Personi zyrtar, i cili duke keqpërdorur detyrën apo autorizimet e tij e keqtrajton, frikëson ose fyen rëndë dinjitetin e personit tjetër, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet”.

Ndërkaq kur vepra e dytë për të cilën dyshohet “kryhet me armë, mjet të rrezikshëm apo me ndonjë send tjetër që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor ose dëmtim të rëndë të shëndetit, kryesi dënohet me: 3.1.burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet për veprën penale nga paragrafi 1 i këtij neni; 3.2.burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet për veprën penale nga paragrafi 2 i këtij neni.”

Kujtojmë se në ditën kur ndodhi kjo ngjarje e rëndë, Sinjali ka kontaktuar kirurgun e Kirurgjisë Maksillofaciale, Leminot Salihu, i cili bashkë me ekipin, kanë kryer ndërhyrjen kirurgjike te i dyshuari, Qëndrim Januzi.

Salihu ka deklaruar se pas analizave laboratorike dhe radiologjike kanë ardhur në konstatim se predha ka hyrë në shpatullën e majtë te i dyshuari dhe pastaj ka vazhduar në qafë, ku ka shkaktuar frakturë të nofullës së poshtme.

Se a do të ketë zgjerim të hetimeve ndaj zyrtarit policor edhe për vepra të tjera penale mbetet të shihet në vazhdim.

Ndryshe, Qëndrim Januzit, tashmë i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, pasi dyshohet se me dashje dhe përgatitje paraprake, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Gazmend Hysenin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/