image Polici i plagosur mbrëmë është në gjendje të rëndë, i bëhet intervenim kirurgjik

Kosovë

QKUK/ Polici i plagosur mbrëmë është në gjendje të rëndë, i bëhet intervenim kirurgjik

news image

Polici i njësisë speciale, Artur Mrasori i cili mbrëmë u plagos pas një shpërthimi gjatë një aksioni anti-drogë në Zhur të Prizrenit, është duke u trajtuar në Klinikën Intensive në QKUK dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Drejtori i Klinikës Intensive, Shaqir Uka tha se gjendja e zyrtarit policor të plagosur në shpërthimin në Zhur është shumë e rëndë dhe i njëjti vazhdon të qëndrojë ende në mjekim intensiv, shkruan Gazeta Sinjali.

Lëndimet që i ka marrë polici, sipas Ukës janë kryesisht në fytyrë, në pjesën e syve, por lëndime ka edhe në pjesën e krahrorit dhe këmbës së majtë. Si pasojë e lëndimeve të rënda në sy, polici është dashur t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik.

“Zyrtari policor i cili ka pasuar lëndime nga një mjet eksploziv në mbrëmjen e kaluar ka ardhur në Qendrën Emergjente pas lëndimeve të pësuara nga ky eksploziv. Pas ekzaminimeve urgjente që janë bërë në Qendrën Emergjente është dashur të marr një trajtim kirurgjik në sallën e Qendrës Emergjente nga ekipi profesional i Kirurgjisë së Syve dhe Qafës. Lëndimet janë në regjionin e fytyrës dhe të qafës, në regjionin e krahut të majtë, dorës dhe këmbës së majtë dhe janë lëndime që janë marr nga mjete eksplozive. Lëndime serioze, shumë të rënda. Vazhdon që të qëndrojë në mjekimin intensiv, të marr trajtimin mjekësor të duhur dhe për momentin paraqitet një gjendje relativisht e rëndë, mirëpo stabile… Dëmtimet më të rënda janë në regjionin e syve, lëndime që është dashur t’i nënshtrohen intervenimit kirurgjik. Lëndimet janë serioze”, ka thënë Uka.

Mrasori është plagosur mbrëmë në fshatin Zhur të Prizrenit gjatë një aksioni bastisjeje në një shtëpi të këtij fshati. Nga shpërthimi i eksplozivit vdekjen e ka gjetur kolegu i tij, Sami Thaçi si dhe është lënduar një polic tjetër dhe një fëmijë.

Për shpërthimin është arrestuar pronari i shtëpisë, i cili është ndaluar në mbajtje për 48 orë. /Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/GazetaSinjali/videos/186418449106064/?t=5