image Polici i Kosovës arsyeton dhunën brutale ndaj qytetarit me duar të lidhura në stacionin policor

Kosovë

Skandaloze/ Polici i Kosovës arsyeton dhunën brutale ndaj qytetarit me duar të lidhura në stacionin policor

news image

Për policin Isë Gashi, tortura që iu bë një qytetari në stacionin policor të Gjakovës, mund të arsyetohet.

Ai është përpjekur që t’i arsyetojë kolegët e tij, duke komentuar materialin e siguruar nga Gazeta Sinjali ku shfaqet dhuna e shfrenuar brenda stacionit policor të Gjakovës nga komandanti Kristë Gjokaj dhe pesë vartësit e tij të dyshuar për përfshirje në këtë rast, kapiteni Bekim Preqi, rreshteri Gëzim Biblekaj si dhe Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj.

Sipas policit Isë Gashi, në raste të tilla nuk mund të përmbahesh.

Sipas komentit të tij, ai ka nënkuptuar që policët duhet ta torturojnë në mënyrë të njëjtë çdo plaçkitës dhe kriminel, sidomos nëse nuk është së paku luftëtar lirie, shkruan Gazeta Sinjali.

“Nëse nuk jeni në dijeni se çka ka ndodhë nga këta kriminelë, ja një lajm për ju. E pas vrasjes të gjithë po thoni pse s’e kanë vjerrë, pse nuk e kanë rrjepë e masakru, etj, etj. Nuk e arsyetoj dhunën, normal është e papranueshme, por kur e kupton se çfarë krimineli është dhe e kujton kolegun e vrarë nga shokët e tij, është problem të përmbahesh. Ky nuk është luftëtar lirie, as njeri human, as punëtor, as mësues e as njeri i ndershëm. Ky është hajn, kriminel që ka plaçkitë me armë dhe e ka gjuajtur edhe policinë për t’i vrarë”, ka shkruar ai.

Komenti i policit Isë Gashi

Këtë koment, ai e ka bërë poshtë lajmit të publikuar nga Gazeta Sinjali, duke tentuar që t’i bindë të tjerët që ta shohin si normale dhunën e torturën brutale të paraqitur në material.

Për ta arritur këtë, polici Isë Gashi ka replikuar me disa persona në Facebook.

Polici Isë Gashi

Kolegët e Isë Gashit, siç shihen në video, ushtrojnë në vazhdimësi brutalitet të pashembullt grupor ndaj të prangosurit, me grushte e shkelma, duke e sjellë atë deri në prag të agonisë, përmes përdorimit të dhunës në shkallën e torturës çnjerëzore.

Dhunën e shfrenuar e ka dënuar drejtori i Pëgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. Ai ka thënë se dhuna ndaj të prangosurit është e papranueshme pavarësisht se për kënd bëhet fjalë.

“Absolutisht nuk do koment ajo punë, nuk është e lejuar. Në asnjë procedurë në asnjë moment nuk lejohet që dhuna të aplikohet ndaj një personi pavarësisht se kush është ai”, ka theksuar Qalaj për Gazetën Sinjali.

Kreu i Policisë së Kosovës ka shtuar se lënda është në procedurë penale dhe se do të ndërmerr hapa, varësisht prej të gjeturave dhe vendimit të organeve gjyqësore.

Për rastin ka folur edhe komandanti i Policisë së Gjakovës, Kristë Gjokaj, i cili ka qenë ai që e ka nisur torturën ndaj qytetarit me duar të lidhura, i cili ishte sjellë me fytyrë të përgjakur në stacionin policor në Gjakovë.

Gjokaj preferon që dhuna e ushtruar nga ai të cilësohet e dyshimtë. Ai s’e ka mohuar dhunën e ushtruar nga ai, por ka refuzuar edhe ta pranojë. /Gazeta Sinjali/