Dy policë të rajonit të Ferizajt dyshohet se të premten i kanë marrë 400 euro nga një person për të mundësuar që ndalesa e vozitjes së veturës për gjashtë muaj mos të zbatohet, shkruan Gazeta Sinjali.
H.D. dhe M.M. dyshohet se kanë kërkuar ryshfet nga i dëmtuari B.R., që të tre së bashku ta shkelin ligjin.
Sipas Prokurorisë, polici H.D. të premten në një një restorant ka pranuar për vete dhe kolegun tij M.M. katër kartëmonedha nga 100 euro, të vendosura në pako të cigareve.
Gjykata Themelore e Ferizajt sot e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy policëve.
Gjyqtarja e procedurës paraprake i Departamentit për Krime të rënda, Hysnije Gashi, ua ka caktuar policëve masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaj.
Gjithashtu, Gjykata Themelore në Ferizaj njofton se ankesat kundër këtij aktvendimi nuk e shtyejnë ekzekutimin e tij. /Gazeta Sinjali/