Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për sanksione edhe më të forta kundër Rusisë dhe paralajmëroi se pothuajse i gjithë qyteti i Mariupolit, i cili gjendet në rrethim, është shkatërruar.
Këto deklarata ai i bëri në fjalimin që mbajti në parlamentin danez.
“Ne ju kërkojmë juve dhe gjithë komunitetit demokratik në botë: Ne duhet të shtojmë sanksionet kundër Rusisë. Ne duhet të heqim dorë nga nafta ruse. Jo tregti me Federatën Ruse. Mbyllni portet për anijet ruse. Dhe kjo duhet të jetë një politikë solidariteti në Bashkimin Evropian mes të gjitha shteteve anëtare”, tha ai.
Më shumë se 100,000 njerëz janë ende të bllokuar në Mariupol dhe janë të detyruar “të shkrijnë borën për të pirë ujë”, shtoi ai.
“Rusia dëshiron që asgjë të mos mbetet nga Ukraina përveç rrënojave dhe refugjatëve”.
Zelensky akuzoi forcat ruse për deportim me forcë të njerëzve, si dhe për përdhunim dhe plaçkitje, shkruan CNN.
Ai pretendoi se vendndodhja e më shumë se 2000 fëmijëve ukrainas nuk dihet dhe tha se ata janë rrëmbyer dhe dërguar në Rusi.
Të shtunën, zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk tha se qeveria e saj vlerësoi se numri i ukrainasve të dëbuar me forcë në Rusi që nga pushtimi ishte gati 40,000.