Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar 30 ditë paraburgim për ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zhargun, i cili u arrestua dje në aeroportin “Adem Jashari”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, të dorëzuar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i Zharku, “me datë 23 tetor 2008 në Kaçanik dhe më 10 shkurt 2010, si person zyrtar- Kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, me të cilën do të kryente veprën penale ‘Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’”.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, ka konfirmuar për “Kohën Ditore” se tashmë është duke u mbajtur seanca për caktimin e masës së paraburgimit për Zharkun.
Kujtojmë se dje, Krimet Ekonomike arrestuan ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharku, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Departamenti i Krimeve Ekonomike në Ferizaj dje kishte zhvilluar një operacion shumë të suksesshëm i cili rezultoi me arrestimin e Zharkut.
Burime të sigurta të gazetës “Koha Ditore” kanë thënë se ish-kryetari Zharku më 2010 ia kishte dhënë një parcelë prej disa arësh në shfrytëzim një kompanie private e cila ndërkohë ia ka shitur një kompanie tjetër pa të drejtë ligjore. Ndërkohë, kompania blerëse ka ndërtuar një objekt banesor dhe e ka paditur komunën që më pastaj Gjykata ia ka njohur të drejtën kësaj kompanie dhe prona ka kaluar në emër blerësit.
Ndërkohë ish-kryetari Zharku, nuk e ka lejuar zyrtaren ligjore të iniciojë një ankesë në shkallën e dytë të gjykatës pasi që ajo parcelë nuk është dashur të shitet në këtë mënyrë. Ish-kryetari Zharku tashmë, përveç veprës për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, do të përballet edhe me veprën tjetër “ndikim i presionit ndaj zyrtares ligjore”.
Ndërkohë rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Më 14.12.2019, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Ferizajt, ka arrestuar një të dyshuar për përfshirje në veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’ dhe ‘Ushtrim i ndikimit’”, tha për KTV-në Bajram Krasniqi nga Policia e Kosovës në Prishtinë.
“Me aktvendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë”, përfundoi ai.
Xhabir Zharku në vitin 2011 ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur, raporton Koha.net.
Qysh nga arratisja e tij, Zharku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës.
Për gati 5 vjet e gjysmë, ish-kryetari i Kaçanikut qëndroi në arrati në Suedi.
Më 7 qershor të vitit 2018, Xhabir Zharku u kthye sërish në Kosovë.
Gjykata e Kaçanikut në maj të po këtij viti kishte nxjerrë vendimin për të ndalë ekzekutimin e dënimit me burg për ish-kryetarin e arratisur të Kaçanikut, Xhabir Zharku.