Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu, ka kërcënuar hapur ditën e sotme Greqinë, duke ndezur kështu akoma edhe më shumë tensionet mes dy vendeve.
“Edhe pse themi se duhet të respektohen të drejtat e fqinjëve në të dy anët e Egjeut, grekët vazhdojnë ‘të kruhen’. Nëse filloni një aventurë në emër të të tjerëve, do të vuani pasojat siç ka ndodhur në të kaluarën. Ky është një paralajmërim për Greqinë”, tha ministri i Jashtëm turk.
Gjatë një deklarate në një aktivitet në provincën e Haimanës, Cavusoglu vijoi me të njëjtin ton sfidues, duke u shprehur: “951 vjet më parë me betejën e Mazikert, ne e bëmë Anadollin atdheun tonë. Kjo është fryma që mbrojti atdheun për 100 vjet, e njëjta frymë vlen edhe sot. Kështu që mblidhni zgjuarsinë tuaj, mblidheni veten. Ne i drejtohemi kryesisht Greqisë. Mos u bëni instrumente të të tjerëve, mos vazhdoni sfidat. Sepse miqësia e Turqisë është e mirë, por armiqësia e saj është tragjike”.
“Mbajeni parasysh këtë”, përfundoi Mevlut Cavusoglu.