image Po kërkohet edhe i dyshuari i katërt për vrasjen në Drenas, mbrëmë u bë një përpjekje për ta kapur

Siguri

Po kërkohet edhe i dyshuari i katërt për vrasjen në Drenas, mbrëmë u bë një përpjekje për ta kapur

news image

Policia po vazhdon të merret ende me rastin e vrasjes së para një jave në Nekoc të Drenasit, teksa para organeve të sigurisë e drejtësisë mungon ende edhe një i dyshuar për këtë krim.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë për Gazetën Sinjali se teksa tre të tjerët, përfshirë edhe të dyshuarin kryesor, janë dorëzuar vetë në Polici, po kërkohet edhe personi i katërt, që dyshohet se ishte përfshirë në rastin tragjik.

“Lidhur me rastin e vrasjes që ka ndodhë në fshatin Nekoc të Drenasit, me datën 22 gusht 2020, hetuesit policorë në koordinim të ngushtë me prokurorinë dhe gjyqtarin e procedurës paraprake po vazhdojnë të ndërmarrin veprimet operative dhe hetimore në përputhje me autorizimet që kanë. Përveç tre personave të dyshuar që janë dorëzuar, policia është në kërkim edhe të një personi tjetër i cili dyshohet të jetë i përfshirë në rast”, ka thënë Ahmeti.

Të dyshuarin e katërt për vrasjen, Policia e Kosovës e ka kërkuar mbrëmë në shtëpinë e tij dhe në shtëpinë e një të afërmi.

“Mbrëmë rreth orës 19:30, kemi pranuar informatën se personi i cili është në kërkim ndodhet në atë zonë dhe menjëherë nga ana e zyrtarëve policorë, në koordinim me prokurorin (urdhër verbal), në dy lokacione (në shtëpinë e tij dhe në shtëpinë e një të afërmi), është kërkuar personi i dyshuar, mirëpo nuk është hasur nga policia”, ka thënë Ahmeti.

I dyshuari kryesor për këtë vrasje, Leutrim Syla, në një letër kishte shkruar se nuk ka pasur qëllim që ta vriste dhe as ta lëndonte askënd. Ai është djali i të dënuarit në rastin “Bllaca 2”, Shaban Sylës, i cili nga burgu i Dubravës kishte siguruar se djemtë e tij do të dorëzoheshin në Polici. /Gazeta Sinjali