image Po i iknin dënimit me burg, bien në prangat e Policisë disa të kërkuar nga Gjykatat

Siguri

Po i iknin dënimit me burg, bien në prangat e Policisë disa të kërkuar nga Gjykatat

news image

Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për arrestimin e personave të dënuar nga Gjykatat në vend për vepra të ndryshme penale, por që të cilët arrijnë të ikin nga duart e drejtësisë. Vetëm dy ditët e fundit kanë rënë në pranga të Policisë disa të kërkuar me urdhëresa të Gjykatave.

Një 20-vjeçare që po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë është arrestuar sot në rrugën ‘Artim Jashari’. Ajo ishte dënuar me burgim për shkak të kryerjes së veprës penale ‘Dhunë në familje’, mirëpo dënimi i është zëvendësuar me gjobë të cilën ajo e ka paguar dhe më pas është liruar.

Po ashtu në Mitrovicë është arrestuar edhe një person që po kërkohej pasi ishte dënuar me burgim për ‘Vjedhje të shërbimeve’. Edhe 53-vjeçari ka paguar gjobën dhe është liruar.

Burgut i shpëtoi pasi pagoi gjobën edhe një tjetër mitrovicas. Ai po kërkohej po ashtu me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

‘Aksioni’ i Policisë për t’i kapur ata që i iknin dënimit me burgim në Mitrovicë rezultoi me arrestimin edhe të një 24-vjeçari. I njëjti ka paguar gjobën dhe më pas është liruar.

Por njëjtë nuk ndodhi edhe me një qytetar në Vushtrri. 45-vjeçari ra në prangat e Policisë pasi ishte dënuar me burgim dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Në burg përfundoi edhe një 41-vjeçar në Prishtinë, i cili u arrestua dje në rrugën ‘Bedri Gjini’. Pas arrestimit ai është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali.

Në Qendrën Korrektuese në Dubravë u dërgua edhe një 32-vjeçar. Ai do ta vuajë dënimin me burgim të caktuar nga Gjykata kohë më parë, e të cili po i ikte deri mbrëmë pas mesnate. 32-vjeçari është kapur nga Policia në kalimin kufitar në Stanqiq.

/GazetaSinjali/