Një skandal mjaft i madh ka bërë bujë në Greqi. Pronari i një hoteli në Halkidiki ka vendosur kamera të fshehta në dhomat e hotelit.
Pronari po përballet tani me akuza se në hotelin e tij ka vendosur kamera të fshehta që regjistronin në mënyrë të paligjshme momente intime të klientëve, shkruan Prothotema.
Një burrë që qëndroi në hotel me familjen e tij verën e kaluar ka folur për tronditjen që ndjeu kur mësoi se momentet private të familjes mund të ishin regjistruar pa dijeninë apo pëlqimin e tij.
Burri shpjegoi se një pajisje e zezë që dukej si një karikues celulari, me USB, u gjet në komodinë pranë shtratit të tyre, duke regjistruar momentet e tyre private. Thuhet se hoteli kishte gjithsej gjashtë kamera të fshehta që regjistronin video dhe audio në dhomat e hotelit.
Burri ka deklaruar se fillimisht i ka lënë përshtypje hoteli i cili ka të gjitha gjërat e një hoteli me pesë yje me një çmim të arsyeshëm dhe madje ka përgëzuar edhe pronarin.
Skandali u zbulua kur një çift që qëndronte në hotel bëri denoncimin në policinë e Selanikut. Hetimi nga policia greke nisi pas denoncimit të një çifti të rinjsh që gjetën një aparat fotografik në dhomën ku kaluan natën në fund të shtatorit 2022.
Çifti u prit falas nga pronari i hotelit si shpërblim për bashkëpunimin e tyre me hotelin verën e kaluar. Por partneri i gruas, një elektricist, ka zbuluar kamerën e fshehtë në dhomën e tyre dhe ka denoncuar në polici.
Çifti raportoi se kamera po regjistronte vazhdimisht imazhe dhe tinguj të lëvizjeve të tyre. Skandali ka ngritur shqetësime për privatësinë dhe ka theksuar nevojën për rregulla më të rrepta për të mbrojtur të drejtat e klienëtve në hotele dhe institucione të tjera.
Nga hetimet rezulton se 34-vjeçari ka filmuar 27 persona, kryesisht turistë grekë dhe të huaj, nga të cilët janë identifikuar 13 persona.