Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Për një rast të tillë kanë përfunduar në prangat e Policisë edhe dy të rinj në Istog, raporton Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy vëllezërit dyshohen se kanë sulmuar viktimën gjatë kohës që po qëndronin në një kafene në Istog.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur pasi njëri prej të dyshuarve ka thirrur viktimën që të bisedojnë jashtë e më pas e ka futur në kurth, pasi që edhe disa persona tjerë dyshohet se e kanë ndihmuar të dyshuarin që ta rrahin të miturin me shkopinj druri.
Më interesantja në këtë rast është se fillimisht në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar viktima, ndërsa vëllezërit e dyshuar për sulmin ndaj të miturit janë paraqitur si viktima. Por gjithçka është qartësuar pasi që në kuadër të veprimeve hetimore janë siguruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë që monitorojnë atë zonë, me ç’rast është parë në detaje se si ka ndodhur rasti.
Në stacion policor viktima ka deklaruar se në shenjë vetëmbrojtje ka goditur me një brisk njërin prej vëllezërve të dyshuar, i cili më pas ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të marra.
Po ashtu tretman mjekësor ka marrë edhe vetë i mituri, i cili dyshohet se u rrah keq nga disa persona.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar briskun që dyshohet se u përdor në rast.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit të dërgohen në mbajtje dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.