image Plani i vaksinimit: Kush janë të parët që marrin vaksinën antiCOVID në Kosovë

Shëndetësi

Plani i vaksinimit: Kush janë të parët që marrin vaksinën antiCOVID në Kosovë

news image

Në mbrëmjen e 28 marsit, në Kosovë arritën dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit. Bëhet fjalë për 24.000 doza të vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca, të cilat Kosova i ka pranuar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, mbrëmjen e së dielës tha se vaksinimi fillon këtë javë, dhe të parët që marrin vaksinën janë personeli shëndetësorë.

Edhe pse vaksinimi po fillon, nuk do të thotë se kësaj pandemie po i vjen fundi”, tha Vitia, duke kërkuar që të vazhdohen të respektohen masat kundër koronavirusit siç është mbajtja e maskës, e distancës dhe e higjienës personale.

Autoritetet kanë miratuar një Plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza.

Në fazën e parë, sipas këtij plani do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare). Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54.000 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

Faza e dytë përfshihen grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Ky grup përbëhet nga 306.000 persona apo 17 për qind e popullsisë.

Për fazën e parë dhe të dytë, sipas Planit për vaksinim, do të përdoren vaksinat që Kosova do të marrë nga programi COVAX.

Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.

Vaksina e AstraZenecas përmban virus të dobësuar, që përdoret për krijimin e vaksinave për grip të zakonshëm. Ky virus ka për qëllim që të japë udhëzime për krijimin e proteinave, që do të ndihmojë sistemin imunitar të luftojë dhe parandalojë infektimin nga koronavirusi.

Kjo vaksinë administrohet te personat mbi 18 vjeç.

Dy dozat e vaksinës së AstraZenecas jepen ndërmjet katër dhe 12 javësh. Sipas disa studimeve, sa më e gjatë të jetë periudha ndërmjet dozës së parë dhe të dytë, aq më i lartë mund të jetë imuniteti që krijon vaksina.

Ditëve të fundit, në Kosovë është regjistruar rritje e rasteve me koronavirus. Të dielën, u regjistruan dhjetë viktima dhe 914 raste. Kjo është shifra më e lartë e infektimeve ditore që janë regjistruar më 2021.

Që prej marsit të kaluar, kur u paraqitën rastet e para me COVID-19, Kosova ka regjistruar 87.981 raste me koronavirus. Prej tyre, 1.840 raste kanë përfunduar me fatalitet. /Gazeta Sinjali/