Dje Policia e Kosovës ka arritur të konfiskojë disa armë zjarri, fishekë, karikatorë, boks hekuri e narkotikë. Të gjitha këto janë gjetur gjatë kontrollimit në pesë raste të ndara, në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Lipjan dhe Drenas.
Siç njofton policia, transmeton Gazeta Sinjali, dje në lagjen Arbëria në Prishtinë gjatë kontrollimit të veturës, te një i dyshuar është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me tetë fishekë.
Pas intervistimit i dyshuari është liruar.
Ndërsa, në rrugën ‘Ali Kelmendi’ në Prishtinë te i dyshuari tjetër është gjetur dhe konfiskuar arma-pistoletë me një karikator me dy fishekë.
‘Me vendim të prokurorit, i dyshuari lirohet dhe rasti shkon në procedurë të rregullt’, njofton policia.
Pistoletë dhe fishekë janë gjetur edhe të një tjetër person në Fushë-Kosovë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollimit të veturës së tij, i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 15 fishekë, një AK-47 me 48 fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton policia përmes raportit 24 orësh.
Ndërsa, te një i dyshuar në fshatn Poklek i Ri në Drenas është gjetur mjet i mprehtë dhe boks hekuri.
“Është gjetur dhe konfiskuar një mjet i mprehtë dhe një boks hekuri. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”.
E në Lipjan policia ka hasur narkotikë te një i dyshuar.
“Gjatë kontrollit, tek i njëjti është gjetur dhe konfiskuar një sasi e substancës që dyshohet të jetë narkotike. Me vendim të prokurorit, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të PK-së. /Gazeta Sinjali/