image PIPS përkrah vendimin e Konjufcës, por ka një propozim

Kosovë

Reagim/ PIPS përkrah vendimin e Konjufcës, por ka një propozim

news image

Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) ka reaguar lidhur me vendimin e sotëm të ministrit për punë të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, për shkarkimin e 14 konsujve në ambasadat e Kosovës nëpër shtete të ndryshme.

Në reagimin e PIPS, thuhet se ata e përkrahin këtë vendim të Konjufcës dhe shtojnë se në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë thirrje për respektim të legjislacionit në fuqi në raport me shërbimin diplomatik e konsullor të Kosovës.

Sipas tyre, ky shërbim ka vuajtur nga ndërhyrjet politike, kështu duke dëmtuar përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.

“Punimet monitoruese të PIPS kanë ngritur shqetësime publike për shkeljet ligjore në proceset e emërimit, rotacionit, gradimit dhe kthimit nga detyra në shërbimin diplomatik. Gjatë mandatit të Qeverisë së fundit vendimet e politikës së jashtme kosovare janë përshkuar nga mosrespektimi i kritereve, që ka mundësuar rritjen e praktikës së diplomacisë personale, të filluar shumë vite më herët. Vendimi i sotëm duhet të shihet si fillim i vendosjes së praktikave meritokratike brenda shërbimit diplomatik, që do t’i mundësonin qytetarëve kosovarë një përfaqësim ndërkombëtar të denjë, ashtu siç e meritojnë, ndër tjera duke vënë në pah vlerat paqedashëse dhe demokratike të shoqërisë kosovare”, thuhet në reagimin e PIPS-it.

Tutje, PIPS vlerëson që Konjufca duhet të rishikojë mundësitë për të adresuar shkeljet ligjore në disa kategori.

“PIPS vlerëson që Ministri Konjufca duhet të rishikojë mundësitë për të adresuar shkeljet ligjore në këto kategori: Shefat e misioneve diplomatike sipas çelësit politik, të riemëruar për së dyti në kundërshtim me nenin 7 të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme; Të dërguarit nëpër Ambasada të emëruar pas datës 19 korrik 2019, domethënë pas dorëheqjes së qeverisë Haradinaj; Të rishikojë të gjitha vendimet për emërimin e Konsujve e Nderit; Të rishikojë në mënyrë të detajuar procesin e emërimit të Shefave të Misioneve aktual, duke qenë se ka pasur ankesa në Komisionin për Punë të Jashtme se një apo më shumë Shefa Misionesh janë dërguar në detyrë pa u intervistuar nga Komisioni që përbën shkelje ligjore”, thuhet në fund të reagimit./GazetaSinjali/

https://www.facebook.com/pips2004/posts/2758325957596771?__xts__[0]=68.ARAenhl2vHIitfTRiQe-NG1_Uqcg1r1knJibcx9_Cp0T_4SPbTPLv_aVJE8s6QST-fxVMIn5IMnEbh5WRKwtoX_Jw7A1Q4TcJJK1xd3r5xYCjyxYlxmKD2jHe-eISR7FHX6VWNi7nGICFa36H1IBV3ZgZUsTrWfVSFN4499e8SUHbyMU_Na3QDwdRJk9hrlTKXvzhmKsSpF4MSeXTGC8YMqGbvP5vFY39aNlcbmN9GYZl9YBi5XfCMmuUtDaGayfTTix0F20C101kf8nikf2jv6n437VnTPPO4f1veeyGn9qar_dbRr2-mzhdt9eVa9x_q97VHArAzLjwyMutGuM3psVvQ&__tn__=-R