Inspektorati në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës kanë gjetur se një numër i madh kompanive të derivateve kanë tejkaluar marzhën tregtare të lejuar sipas vendimit të Qeverisë.
“Petrol Company, Kosova Rafinery, Kulla Exim dhe In Oil, janë kompanitë e dyshuara, të cilave u janë pezulluar lejet”, tha të martën, më 19 prill, ministrja Rozeta Hajdari në një konferencë për media bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu tha: “Për këtë proces të homogjenizimit, këto kompani kanë përfituar nga lirimi në taksë të akcizës. Nga kjo është mundësuar të ketë shmangie të pakontrollueshme të të hyrave”.
“Petrol Company”, në një njoftim të publikuar sot në faqen e tyre në Facebook pretendojnë që janë në rregull sa i përket licencave si dhe njëkohësisht zotohen se do t’i ndjekin rrugët e nevojshme ligjore për ankesë.
“Petrol Company sh.p.k disponon të gjitha lincencat për import, deponim, shitje me shumicë dhe pakicë. Sa i përket lajmit të djeshëm për Petrol Company, sqarojmë se MINT dhe Doganat e Kosovës kanë revokuar licencat / autorizimet e lëndës së parë për përpunim. Gjithashtu e bëjmë të ditur se në Petrol Company nuk është gjetur ose identifikuar asnjë shkelje, prandaj brenda afateve ligjore do të ushtrojmë ankesat tona dhe për të ndjekur të gjitha rrugët e nevojshme ligjore“, thuhet në njoftimin e kompanisë.