image Petkoviq: Serbia do të shqyrtojë dërgimin e forcave të saj në Kosovë

Politikë

Petkoviq: Serbia do të shqyrtojë dërgimin e forcave të saj në Kosovë

news image

Shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë.

Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

“Vuçiq ka përsëritur shumë herë se ne nuk do të lejojmë një pogrom të ri të popullit tonë. Shpresoj që ata që duhet të arsyetojnë me Kurtin ta kuptojnë këtë mesazh, sepse ne nuk do të lejojmë që populli ynë të vuajë. Le të kujdesen ata në perëndim, që të mos habiten nga vendimet tona, sepse nuk jemi ne ata që provokojmë dhe shkelim marrëveshjet. Të gjitha këto i bën Kurti dhe dikush ia lejon”, ka shtuar Petkoviq.

Petkoviq i bëri komentet mbrëmjen e së enjtes, pak orë pasi Policia e Kosovës njoftoi se ka rritur praninë e saj në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Petkoviq tha se 300 deri në 350 policë të Kosovës – përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU – “kanë okupuar dhe bllokuar” Mitrovicën e Veriut.

Petkoviq ka thënë se policët kosovarë kanë bllokuar të gjithë veriun e Kosovës, ndonëse nuk është raportuar për ndonjë incident deri tani dhe qytetarët kanë qenë të lirë të filmojnë dhe të përcjellin lëvizjet e policëve.

Sipas Petkoviq, policët kosovarë nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në territorin e Kosovës.

“Po e përsëris, veçanërisht për ata në Perëndim, që policia shqiptare nga jugu ka pushtuar veriun e Kosovës”, ka thënë ai në këtë konferencë, raporton Danas.

/GazetaSinjali/