Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka kërkuar nga politikanët kosovarë të mos merren me politikë në kohë virusi sepse populli i Kosovës nuk meriton më pak.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Abbott po ashtu ka lavdëruar bashkëpunimin mes politikanëve shqiptarë e serbë kohëve të fundit.
“Në këtë kohë të vështirë, bashkëpunimi mes komuniteteve, që e kemi parë javën e shkuar mes ministrave Arben Vitia dhe Dalibor Jevtiq, dhe mes kryekomunarëve Agim Bahtiri e Goran Rakiq në Mitrovicë, është i mirëpritur dhe përshëndetur. Siç ka thënë edhe Mbretëresha dje, nëse jemi të bashkuar dhe të vendosur, do të tejkalojmë këtë sëmundje. S’ka politikë me virusin. Populli i Kosovës nuk meriton më pak”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, mbrëmjen e 3 prillit, me vendim të Serbisë, dy komunat e Kosovës, Mitrovica Veriore dhe Zveçani janë futur në karantinë si dhe rreth 200 qytetarë në 5 komuna të vendit janë detyruar të izolohen me urdhër nga Beogradi, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka raportuar ekspluzivisht për rastin në fjalë si dhe ka siguruar listat e Entit për Shëndetësi Publike të Serbisë dhe Stacionit Policor të Leposaviqit, të cilat përmbajnë emrat e personave që janë urdhëruar të vetizolohen./GazetaSinjali/