Sot ka ndodhur një përplasje verbale ndërmjet anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi dhe kryetares, Valdete Daka, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurteshi ka kërkuar që të marrë fjalën dhe ka kërkuar që të lejohen të votojnë të gjithë ata që iu ka skaduar afati i letërnjoftimit me 1 janar të vitit 2020.
“Ka ankesa nga qytetarët që s’munden të votojnë për shkak se nuk kanë letërnjoftime të vlefshme. Ne si KQZ duhet t’i njoftojmë mediat që të gjithë njerëzit duhet t’i lëmë të votojnë, edhe ata që i ka skaduar afati i letërnjoftimit në janar të vitit 2020”, ka thënë ai.
Kurse, kryetarja Daka ka thënë se KQZ-ja nuk e ka marrë ende vendimin.
Gjithashtu ajo theksoi se sot nuk është momenti për të diskutuar sepse nuk kanë mbledhje por konferencë për procesin zgjedhor.
“Verdiktet e KQZ nuk merren në zgjedhjet me dokumentet dhe ato merren para ditës së zgjedhjeve dhe ne nuk jemi në mbledhje dhe jemi në konferencë dhe të gjitha vendimet merren në mbledhjen e KQZ-së”, deklaroi Daka. /Gazeta Sinjali/