image Përplasje në Komisionin për Arsim, Gola-Jasharajt: Mos përmend emrin e kryeministrit pa prezencën e tij

Arsim

Përplasje në Komisionin për Arsim, Gola-Jasharajt: Mos përmend emrin e kryeministrit pa prezencën e tij

news image

Mbledhja e sotme e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport ku të ftuar janë përfaqësuesit e SBASHK-ut për të diskutuar lidhur me grevën në arsim, është zhvilluar me disa debate.

Para anëtarëve të këtij komisioni, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ripërsëriti kërkesat e grevistëve, ndërsa tha se fajtori i vetëm që fëmijët nuk mund të shkojnë në shkolla është Qeveria e Kosovës – konkretisht kryeministri Albin Kurti, përcjell Sinjali.

Për këtë të fundit tha se ka keqpërdorur lutjen e SBASHK-ut për të gjetur zgjidhje në mënyrë që të fillojë procesi mësimor.

“Kryeministri më ka bullizuar në Parlament, duke thënë se iu kam lutur si vëlla. Unë i kam thënë na ndihmo si vëlla dhe si kryeministër. Por, ai e ka keqpërdorur. Mos të mendojë dikush se mundet të më frikësojë. Mësimdhënësit e Kosovës e dinë se kush jam. Naiviteti dhe sinqeriteti im shpesh po keqpërdoret. Tashmë po tallen me mua duke më thënë ‘mos më quaj vëlla’. Kjo është arritja e kryeministrit”, u shpreh Jasharaj.

Ai tha se të gjitha këto sulme nga Qeveria po e kthejnë atë në hero të kohës.

“Duke më sulmuar po më bëni hero, do të shkoj në varr si hero i shekullit 21 dhe i kohës ku kryeministër ishte Albin Kurti”, shtoi Jasharaj.

E pas kësaj deklarate reagoi kryetari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Ardian Gola, duke i kërkuar Jasharajt që ta shtrojë diskutimin pa përmendur emra specifik.

“Meqenëse kryeministri Kurti dhe ministri Murati nuk janë këtu për ta mbrojtur vetën, t’u kisha lutur që ta ngrisësh shqetësimin pa përmendur emra të përveçëm”.

/GazetaSinjali/