Të paktën një person ka humbur jetën nga përmbytjet në pjesën qendrore të Teksasit, në të njëjtën zonë ku verën e kaluar përmbytjet e menjëhershme shkaktuan më shumë se 130 viktima.
Përmbytje “të mëdha dhe vdekjeprurëse” nga lumi Guadalupe pritet të godasin rajonin pas disa ditësh reshjesh të rrëmbyeshme, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit në San Antonio. Përmbytjet katastrofike të vitit të kaluar kishin nisur po nga i njëjti lumë.
Në orët e para të së enjtes, autoritetet e emergjencës u bënë thirrje banorëve të zonës që të evakuoheshin.
Më shumë se 130 persona humbën jetën gjatë përmbytjeve të verës së kaluar, përfshirë 25 fëmijë dhe dy këshilltare në kampin “Camp Mystic”, një kamp veror për vajza pranë Kerrville, Teksas, i vendosur buzë lumit, raporton BBC – transmeton Sinjali.
Në një përditësim të pasdites së së enjtes, guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, njoftoi se të paktën një person ka humbur jetën nga përmbytjet e fundit.
“Do të bëjmë gjithçka të mundur për të shpëtuar jetë njerëzish”, tha Abbott në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.
Ai shtoi se rreth 80 persona janë shpëtuar deri tani dhe se viktima nuk ishte pjesë e ndonjë kampi në rajon.
Sipas Abbott, “lumenjtë që po rriten me shpejtësi” do të vazhdojnë të fryhen gjatë gjithë ditës.
Shërbimi Kombëtar i Motit ka publikuar vazhdimisht paralajmërime, duke theksuar rrezikun urgjent dhe duke u bërë thirrje qytetarëve të kërkojnë vende të sigurta.
“PËRMBYTJE KATASTROFIKE po ndodhin. Shkoni menjëherë në vende më të larta! Lumi Guadalupe po rritet me shpejtësi dhe do të vazhdojë të rritet!”, shkroi Shërbimi Kombëtar i Motit në San Antonio në platformën X.
Sipas “Texas Tribune”, niveli i lumit Guadalupe është rritur me 32 këmbë (rreth 9.75 metra) brenda vetëm katër orësh. Përmbytjet kanë prekur disa qarqe në jug të Teksasit, përfshirë Uvalde, Kerr dhe Kendall.
E njëjta zonë në rajonin Texas Hill Country u përball me përmbytje vdekjeprurëse gjatë festës së 4 Korrikut vitin e kaluar, kur humbën jetën më shumë se 130 persona.
Në kampin veror të krishterë për vajza, “Camp Mystic”, tragjedia ndodhi pasi lumi Guadalupe u rrit me 26 këmbë (rreth 8 metra) brenda afro 45 minutash. Gjithsej 25 vajza humbën jetën pasi u morën nga rrjedha e fuqishme e ujit.
“Camp Mystic” vendosi të mos rihapet këtë vit dhe më herët gjatë verës paraqiti kërkesë për falimentim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!