Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Për një rast të tillë kanë përfunduar në prangat e Policisë edhe një i ri në Viti, raporton Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një 18-vjeçar dyshohet se ka sulmuar me boks hekuri një nxënës të shkollës së mesme në Viti.
Si pasojë e sulmit, i riu ka marrë lëndime trupore, për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Ndërkohë që për rastin e ka njoftuar edhe Policinë e Kosovës.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin, i cili më pas u shoqërua në stacion për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.