image Ky është i dyshuari që e kërcënoi me armë dhe e goditi me shuplakë një person për parking në Prizren

Drejtësi

Ky është i dyshuari që e kërcënoi me armë dhe e goditi me shuplakë një person për parking në Prizren

news image

Të mërkurën, Gazeta Sinjali raportoi për një përleshje në pikë të ditës në Prizren, ku u ekspozua edhe armë. Në lidhje me këtë rast është arrestuar një person, të cilit i është konfiskuar një pistoletë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë njoftuar se i arrestuari është Fadil Morina, ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Prizrenit.

Morina dyshohet se ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve“, “Sulm” dhe “Kanosje“.

Por si ndodhi ngjarja?

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se derisa viktima ishte parkuar pranë hyrjes së parkingut, Morina i bie borisë së veturës dhe ai thotëprit një minutë se nuk bëhet nami. Kjo si duket e nervozon Morinën, pasi ai del nga vetura dhe i thotë viktimës “A e din kush jam unë” dhe e godet me shuplakë.

Mirëpo ‘drama’ nuk përfundon me kaq. Viktima hyn në veturë dhe niset në drejtim të fshatit Nashec, të cilin e ndjek Morina dhe pasi arrin afër tij e tejkalon dhe e ndal veturën.

Sipas Gjykatës, aty Morina e nxjerrë pistoletën me gaz dhe ia drejton viktimës duke e kërcënuar. Kjo sjellje e Morinës, viktimës i ka shkaktuar frikë, njofton Gjykata në Prizren.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/