Policia e Kosovës ka konfirmuar një përleshje fizike mes asamblistit të PDK-së në Prizren, Getoar Besimi dhe zyrtarit të prokurimit të kësaj komune, Nezir Rexhepi.
Zyrtari për informim nga Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj ka thënë se ky rast nuk ka të bëjë për çështje zyrtare.
“Për momentin të dy personat janë të dyshuar dhe sipas informatave nuk ka të bëjë më çështje zyrtare. Të dy personat janë përleshur me njëri-tjetrin dhe kanë pësuar lëndime të lehtë trupore”, ka deklaruar Osmanollaj.
Ndërkohë nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Mytaher Haskuka, ka pretenduar se zyrtari nga Zyra e Prokurimit është sulmuar fizikisht nga asamblisti i PDK-së, Getoar Besimi.
“Sot paradite zyrtari komunal nga Zyra e Prokurimit, Nezir Rexhepi, është sulmuar fizikisht nga kuvendari i PDK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Getoar Besimi.
Ky sulm është tentim për të ndikuar drejtpërsëdrejti në punën dhe procedurat e Zyrës së Prokurimit, pasi që kompania e cila është në pronësi të familjarëve të Getoar Besimit është në konkurrencë për të përfituar projekte komunale, për të cilat tashmë janë hapur procedurat e prokurimit.
Rasti i sulmit të zyrtarit komunal është paraqitur në Polici dhe shpresoj që organet përgjegjëse do të marrin masa të shpejta ndaj këtij akti të dhunës”, ka shkruar Haskuka./Gazeta Sinjali/