Pas raportimit të Gazetës Sinjali për një përleshje që ka ndodhur më 29 mars në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, rast ky që u tentua të mbahej fshehtë nga publiku, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kthyer përgjigje.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj bëri të ditur për Sinjalin se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë të grumbullojë prova lidhur me rastin.
“Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë për grumbullimin e informatave dhe provave me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të kësaj çështje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Sinjalin.
Dy zyrtarët e përfshirë në këtë rast, sipas burimeve të Sinjalit janë Milaim Ahmetaj dhe Arjan Dernjani.
Milaim Ahmetaj, sipas faqes zyrtare të MMPHI-së është udhëheqës i Divizionit për Hartimin dhe Harmonizimin e Legjislacionit.
Të njëjtin dyshohet se e sulmoi kolegu i tij Arjan Dernjani, të martën në hapësirat e ministrisë, me ç’rast ka pësuar lëndime. Atë ditë, sipas burimeve të Sinjalit, në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia e Kosovës, pasi është ftuar nga viktima e këtij rasti.
Për shkak të lëndimeve që ka pësuar, Ahmetaj ka marrë pushim mjekësor nga Departamenti Ligjor, raporton Sinjali.
Lidhur me këtë rast, nga Policia e Kosovës dhe Ministria ende s’kanë dhënë asnjë përgjigje, përkundër thirrjeve, mesazheve dhe e-mailave të dërguar.