Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka vizituar gjatë ditës së sotme Komunën e Skënderajt, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë vizitës së tij, Kurti i ka mbledhur simpatizantët e tij në një lokal.
Në disa video të publikuara në rrjete sociale, shihet se si janë shkelur masat antiCOVID.
Në videot e publikuara, vërehen qytetarët teksa nuk bartin maskat dhe nuk respektojnë masat, por që dëgjohen edhe duke kënduar këngë ndaj të parit të VV-së.
Kurti gjatë vizitës së sotme të tij në Skënderaj u sulmua me vezë nga qytetarët e kësaj komune.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me kandidatin për deputet të Vetëvendosjes nga Komuna e Drenasit, Enver Dugolli.
Dugolli i cili po e shoqëronte Kurtin në Skënderaj ka thënë se tentimi i disa njerëzve për të penguar aktivitetet e VV-së, nuk janë “Drenica e vërtetë”.
“Askush nuk ka arritë të ndërpresë takimet tona. VV dhe Albin Kurti po pritet si asnjëherë më parë. Zërat e dëshpërimit të disave në Skënderaj të cilët organizojnë ca njerëz për të penguar aktivitetet tona, nuk janë Drenica e vërtetë. Qytetari i Drenicës është ngopur me ta, prandaj e pret dhe mirëpret VV-në dhe Albinin. Ne ende jemi në aktivitete nëpër fshatra të Skënderajt“,ka thënë Dugolli për Gazetën Sinjali./Gazeta Sinjali/