Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka marrë vendim të ri se si do të paguhen deputetët për shpenzimet e tyre. Me këtë vendim, është përgjysmuar shuma që u jepej deputetëve për rrugën që e bënin për të shkuar në Kuvend.
Një prej ngjarjeve që ka pasur më së shumti reagime këtë vit ishte ajo e shpenzimeve të deputetëve, kur u mor vesh se sa para marrin çdo muaj nga kompensimi për udhëtim.
Vetëm pas zhurmës së madhe, deputetët e Grupit Parlamentar shumicë, Lëvizjes Vetëvendosje, që kryesonin listat e shpenzimeve, thanë se më nuk do të marrin para nga shteti për rrugë.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka nënshkruar sot një vendim të ri për këtë punë, ku është rirregulluar çështja e shpenzimeve të deputetit.
Sipas vendimit të cilin e ka Express, deputetëve për shpenzime ditore u ndahen nga pesë euro, kur marrin pjesë në seanca dhe në mbledhjet të komisioneve.
“Për shpenzime ditore të deputetit ndahen nga 5.00 euro në ditë për pjesëmarrjen në punimet e seancës plenare, në mbledhjen e komisionit parlamentar dhe në grup punues”.
Ndërsa, me këtë vendim është ndryshuar shuma që u kompensohet deputetëve, varësisht se çfarë udhe bëjnë deri në Kuvend.
“Kompensimi për shpenzimet e udhëtimit të deputetit, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare, në mbledhjen e komisionit parlamentar dhe në grup punues, caktohet si vijon: prej 15 km deri në 30 km – 5 euro, deri në 60 km – 10 euro dhe mbi 60 km – 15 euro”.
Shpenzimet maksimale të udhëtimit që një deputeti mund t’i mbulohen, sipas këtij vendimi, janë 150 euro.
Sipas një sqarimi të Kuvendit në shkurt të këtij vitit, që nga 2011-a, deputetët paguheshin dyfish më shumë sesa vendimi i sotëm i Konjufcës.
“Deputeti kompensohet për shpenzimet e udhëtimit si në vijim: deri në 30 km – 10 euro, deri në 60 km – 20 euro dhe mbi 60 km – 30 euro, për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe në komisione”, thuhej në sqarim.