image Përgatitjet për takimin e nivelit të lartë në Bruksel: Pas dakordimit me Kurtin, Lajçak "shtegton" te Vuçiq

Politikë

Përgatitjet për takimin e nivelit të lartë në Bruksel: Pas dakordimit me Kurtin, Lajçak “shtegton” te Vuçiq

news image

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak ka nisur punën e tij intensive për t’u përgatitur për takimin e nivelit të lartë – siç ai e ka quajtur – mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksander Vuçiq, në muajin shtator.

Kryeministri Kurti, ka biseduar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, për rundin e ri të bisedimeve të nivelit të lartë, që parashihet të mbahet në shtator.

“Për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, zbatimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të dakorduar në Ohër dhe takimin e radhës të nivelit të lartë në muajin tjetër bisedova me emisarin e BE-së, Lajçak”, ka shkruar Kurti në Facebook sot, duke konfirmuar se takimi do të mbahet muajin tjetër.

Kurti dhe Lajçak u takuan në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, që po mbahet në Slloveni.

“Kisha një takim të rëndësishëm me kryeministrin Kurti sot në Bled. Çështja kryesore e takimit ishin përgatitjet e takimit të ri të nivelit të lartë në dialogu në shtator, me fokus në normalizimin e raporteve dhe zbatimin e marrëveshjes së 3 qershorit”, shkroi Lajçak në Twitter.

Pas takimit me Kurtin, Lajçak do të qëndrojë sot për vizitë në Serbi.

Në Beograd, Lajçaku do të pritet në takim nga kreu i shtetit serb, Aleksandar Vuçiq.

Sipas zyrës së Vuçiqit për media, takimi mbahet në orën 12:00.

Deklarata e 3 qershorit e liderëve të Bashkimit Evropian ka të bëjë me kërkesat kyçe të bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe rikthimin e palëve në dialog.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja ka vendosur disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat janë ende në fuqi.

Sa i përket situatës në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, Kurti, sipas një njoftimi të zyrës së tij, tha se situata tashmë është shtensionuar dhe ajo “nuk duhet të përshkallëzohet sërish”.

“Kosova tashmë është duke punuar në legjislacionin dytësor për zgjedhjet e hershme të cilave duhet t’iu prijë një kampanjë e hapur, pa frikësime dhe shantazhe e pasuar me zgjedhje të lira e demokratike”, tha Kurti, sipas njoftimit për media.

Situata në veri të Kosovës u tensionua në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë – të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit – me asistimin e policisë hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, që u zgjodhën në zgjedhjet e prillit. Ky proces ishte bojkotuar nga popullata serbe dhe partitë serbe.

Në korrik, Kosova dhe BE-ja u pajtuan për hapat drejt shtensionimit, përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.

/GazetaSinjali/