image Përfundon takimi mes ambasadorëve të QUINT-it, Osmanit e Kurtit

Politikë

Përfundon takimi mes ambasadorëve të QUINT-it, Osmanit e Kurtit

news image

Takimi i mbajtur mes presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe ambasadorëve të vendeve të QUINT-it, ka përfunduar.

Ky takim pati për temë mbajtjen e referendumit serb në Kosovë, por që s’pati deklarim për media se çfarë është diskutuar.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar organizimin e referendumit të Serbisë, derisa kanë theksuar se serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë me postë apo edhe në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Shtetet e QUINT-it dhe BE-ja sot shprehën keqardhje për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar. Kosova ka thënë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, do të mund të votojnë përmes postës dhe Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

/GazetaSinjali/