Qeveria e Shqipërisë dhe Malit të Zi kanë përmbyllur sot një takim ndërqeveritar në Podgoricë.
Në fund të takimit janë nënshkruar disa marrëveshje në fushën e energjisë, mbrojtjes, peshkimit, bujqësisë, arsimit, sportit e kulturës.
Mbledhja e përbashkët në kryeqytetin malazez i hapë rrugë ndërtimit të një dogane të re në Shën Nikollë-Pulaj dhe një ure mbi lumin e Bunës që do të afrojë dy vendet.
Në mbledhjen e sotme u nënshkruan:
-Deklaratë e Përbashkët midis Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në kuadër të mbledhjes së dytë të përbashkët midis qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
-Marrëveshje bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi mbi ndërtimin e urës në lumin e Bunës. Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
-Marrëveshje midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj, në territorin Republikës së Shqipërisë. Marrëveshja u nënshkrua mes kryeministrit Rama dhe kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
-Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e Energjisë midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Investimeve Kapitale të Malit të Zi. Marrëveshja u nënshkrua mes zv.kryeministres, njëherësh ministre e infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe zv/kryeministrit dhe ministrit të investimeve kapitale, Ervin Ibrahimovic.
-Marrëveshje bashkëpunimi në fushat e mirëmbajtjes dhe menaxhimit të përbashkët të peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi. Marrëveshja u nënshkrua mes ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca dhe zv/kryeministrit dhe ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit, Vlladimir Jokovic.
-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes së shëndetit të bimëve, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca dhe zv/kryeministri dhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit, Vlladimir Jokovic.
-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes sociale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Shoqërore, Admir Adrović.
-Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Rinisë dhe Fëmijëve të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Sportit dhe të Rinisë së Malit të Zi. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi dhe Ministri i Sportit dhe Rinisë, Vasilije Llalloshevic.
-Programi i bashkëpunimit kulturor midis Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Medies së Malit të Zi për periudhën 2023-2025. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe ministri i Kulturës dhe Medies së Malit të Zi, Masha Vllahovic.
-Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe drejtuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, Filip Axhic.
-Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetit të Malit të Zi. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ministri i Shëndetit, Dragosllav Shqekic.