Nëse jeni përdorues i telefonave me sistem operativ Android, atëherë është mirë që t’i shikoni edhe një herë aplikacionet që i keni të instaluara.
Sipas studiuesve të VPN Pro, ekzistojnë 24 aplikacione të rrezikshme që përmbajnë viruse dhe që përdoruesit duhet t’i largojnë nga telefoni, transmeton Gazeta Sinjali.
Njëri prej studiuesve, Jan Youngren, ka thënë se këto aplikacione kërkojnë shumë autorizime për të ndërhyrë në telefonin tuaj, duke vënë në rrezik të dhënat private.
Aplikacionet e “rrezikshme” janë krijuar nga një kompani kineze e quajtur “Shenzhen HAWK” dhe deri më tani janë shkarkuar 382 milionë herë.
Një nga aplikacionet më të njohura quhet “Weather Forecast”, ku përdoruesit shohin parashikimin e motit.
“Fillimisht ky aplikacion infekton telefonin me virus, duke marrë të dhënat e miliona përdoruesve për t’i dërguar në një server në Kinë. Më pas i abonon përdoruesit në numra telefoni premium, duke bërë që këta të fundit të paguajnë shumë të mëdha parash në faturat e tyre. Si të mos mjaftonin këto, aplikacioni hap dritaret e fshehura të përdoruesit dhe klikon në reklama të disa faqeve të caktuara në internet”, citohet të ketë thënë Youngren.
Pas këtyre zbulimeve, VPN Pro raportoi edhe aplikacionet e tjera që janë rrezikshme te Google, i cili tanimë i ka fshirë aplikacionet nga Google Play Store.
Aplikacionet që vidhnin të dhënat e miliona përdoruesve sipas VPN PRO janë: HI VPN, Free VPN, Soçer Pinball, Dig It, Laser Break, Word Crush, Music Roam, Word Crossy!, Puzzle Box, World Zoo, Private Browser, Calendar Lite, Turbo Browser, Joy Launcher, Virus Cleaner 2019, Super Cleaner, Hi Security 2019, Candy Selfie Camera, Super Battery, Candy Gallery, Hi VPN Pro dhe Net Master.
Studiuesit i kanë përdoruesve të telefonave Android të jenë shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e aplikacioneve që shkarkojnë dhe që u japin akses në të dhënat e tyre./Gazeta Sinjali/