image Për ujin në veri që paguajnë qytetarët nga jugu, deputetët kërkojnë hetim nga Prokuroria - Sinjali

Për ujin në veri që paguajnë qytetarët nga jugu, deputetët kërkojnë hetim nga Prokuroria

news image

Deputetët në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që të hetojnë marrëveshjen e kompanisë së ujësjellësit në pjesën jugore të Mitrovicës, e cila mbulon shpenzimet e ujit përmes energjisë elektrike të pjesës veriore.

Ministri i Pushtetit Lokal, Goran Rakiq ka raportuar para Komisionit lidhur me pasqyrat  financiare të ministrisë për vitin 2019.

Rakiq kërkoi nga deputetët ta mirëkuptojnë për shkak detyrës se re, për arsye se po diskutohej për vitin 2019.

Ai potencoi se do të punojnë në rregullimin e mangësive që ka lënë ministria e kaluar në bazë të rekomandimeve të Zyrës së Auditimit.

Rakiq deklaroi se do të zgjidh çështjen e ujësjellësit për pjesën veriore. Pasi sipas gjetjes së auditorit, pjesa jugore paguan shërbimet e ujësjellësit përmes energjisë elektrike.

“Jam i informuar me problemet që i ka kompania e ujësjellësit dhe shpesh ka ndodhur që të ndodh kompromise. Kjo pagesë nuk kishte qëllim të keq, por vetëm për të tejkaluar problemin. Fitimin e merr kompania e Ibër-Lepencit”.

“Të gjitha këto shërbime bien në pjesën e ujësjellësit të Mitrovicës jugore. Kam kërkuar të bëhet zgjidhje për pjesën veriore. Do të ndihmojmë të gjitha komunat, ne jemi duke punuar në rekomandimet besoj në të ardhmen do të arrijmë t’i rregullojmë mangësitë që ministria kishte”.

Rakiq kërkoi nga deputetet të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit, që qytetarët në këtë kohë të mos mbesin pa ujë.

“Me drejtorin e ujësjellësit kam folur se si të kalojmë problemet që i kishim. Kërkonim zgjidhje për bllokimin e faturave. Ata kanë shumë probleme dhe mendoj se që së bashku mund te bashkëpunojmë për të arritur një zgjidhje që në këtë periudhë të verës mos të mbesin pa ujë”, tha ai.

Sekretarja e përgjithshme e ministrisë, Rozafa Ukimeraj tha se ministria e ka pasur të pamundur përmbylljen e rekomandimeve veçanërisht tek avancet.

“Kemi katër rekomandime për këtë vit nga Zyra e Auditimit. Ka qenë e pamundur të mbyllen këto rekomandime siç është rasti i avanceve, në bashkëpunim me thesarin, vlera ka qenë 17 mijë euro. Nuk konsiderohen të mbyllura për shkak kodeve të gabuara. Brenda këtij viti shpresojmë të mbyllim avancet e paraqitura për vitin 2019”, tha ajo.

“Ministria ka ekzekutuar një vlerë prej 20 mijë eurosh nga ministrja. Kishte kërkesë nga komuna për mbulim të shpenzim të energjisë elektrike për të prodhuar ujë. Duke parë nevojën në stinën e verës që mos të rrezikohen qytetarët e ka marrë këtë vendim. Veprimet e tilla iu janë treguar ministrit të ri që nuk janë në harmoni me ligjin dhe nuk do të përsëritën”, u shpreh ajo.

Deputetja e LDK-së Vlora Limani-Hajnuni, kërkoi që në minimum të ulën avancet.

Derisa pyeti në lidhje me investimet kapitale, cilat janë komunat që nuk i kanë shfrytëzua mjetet, a duhet të hyjnë përsëri në tenderim derisa nuk i kanë shfrytëzuar.

Deputetja Besa Gaxherri nga LDK-ja kërkoi që çdo gjetje që është e dyshimtë duhet të shkoj në Prokurori.

Në mbledhjen e komisionit morën pjesë edhe përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës./ Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: