image Për t’i qetësuar grevistët, Macron heq dorë nga pensioni prej 6 mijë eurosh

Botë

Botë/ Për t’i qetësuar grevistët, Macron heq dorë nga pensioni prej 6 mijë eurosh

news image

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, plani i të cilit ka nxitur greva masive, do të heqë dorë nga pensioni i veçantë presidencial, kur të largohet nga pozita e tanishme.

Ky pension i garantohet Macronit me një ligj të nxjerrur të vitit 1955, sipas të cilit presidentët e Francës e gëzojnë një pension prej gjashtë mijë eurosh në muaj kur të largohen nga posti.

Por, presidenti i tanishëm ka vendosur të ndryshojë këtë gjë dhe të sjellë një skemë të re pensionale për presidentin, bashkë me tërë sistemin pensional të vendit. Kështu njoftoi zyra e tij, duke e konfirmuar një raportim të mëparshëm të gazetës “Le Parisien”.

Protestat dhe grevat e punëtorëve të sektorit publik, të cilat filluan para dy javësh, kanë shkaktuar tollovi në mbarë vendin për shkak të ndërprerjes së pjesshme të shërbimeve të trenave dhe rrjetit të transportit publik.

Presidenti Macron, duke folur të shtunën gjatë një vizite në Bregun e Fildishtë, bëri thirrje që sindikatat t’i pezullojnë protestat dhe grevat gjatë festave të fundvitit me qëllim që të mos shkaktohen tollovi.

Pavarësisht kësaj deklarate, sindikatat e punëtorëve të hekurudhave janë zotuar se do t’i vazhdojnë grevat edhe gjatë ditëve të ardhshme, shkruan “Reuters”./Gazeta Sinjali/