Sot, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka dështuar të vazhdojë gjykimi ndaj Ikballe Berisha – Hudutit, të akuzuarës për “Shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, raporton Gazeta Sinjali.
Kjo seancë dështoi për shkak të mungesës së Hudutit, e cila mbrëmë njoftoi se i biri i saj ka ndërruar jetë.
Kështu, kryetari i trupit gjykues, gjykatës Vesel Ismajli, e ka shtyrë seancën për 22 nëntor të këtij viti.
Sipas aktakuzës së ngritur me 30 shtator 2020, Ikballe Berisha-Huduti akuzohet se me 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook” kishte postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese, duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane e Qassem Solejmani-gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi.
Në aktakuzë thuhet se e akuzuara kishte postuar tekstin “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralët të tyre Gjeneral Sylejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dasht durimin ngase të mbysësh Zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim, por nuk ka kufi”.
Ky postim bëri që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ta akuzojë atë për “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”./Gazeta Sinjali/