image Mungesa e oksigjenit, nis hapja e dritareve në Pallatin e Drejtësisë

Sociale

Mungesa e oksigjenit, nis hapja e dritareve në Pallatin e Drejtësisë

news image

Si shkak i gjendjes së rënduar me shëndetin e prokurorëve, gjyqtarëve e stafit tjetër për shkak të mungesës së ajrit në Pallatin e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme ka angazhuar një kompani për hapjen e dritareve aty ku është e nevojshme.

Te Pallati të Drejtësisë janë vendosur edhe skelet për hapjen e dritareve, raporton Gazeta Sinjali.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme, tregojnë për Gazetën Sinjali se në gjysmën e dytë të nëntorit ishte nënshkruar kontrata për hapje të dritareve aty ku është e nevojshme dhe në bazë të kontratës është angazhuar një kompani që do të merret me hapjen e tyre.

Gazeta Sinjali ka raportuar se më 13 tetor, derisa ishte duke punuar në zyrën e tij në Pallatin e Drejtësisë, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës Kujtim Munishi, ka pasur arrest kardiak.

“Përkeqësimi i gjendjes shëndetësore kishte ardhur si rezultat i mungesës së ajrit apo oksigjenit në zyrën time në Pallatin e Drejtësisë, ku edhe pata arrest kardiak”, ka thënë Kryprokurori Kujtim Munishi për Sinjalin.

E në mbledhjen e 220-të i Këshillit Prokurorial ishte ngritur shqetësimi se stafi i prokurorisë çdo ditë po rrezikohet nga gjendja në Pallatin e Drejtësisë si pasojë e mungesës së ajrit.

Të gjendur para kësaj situate, KPK-ja kishin bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të implementojnë sa më shpejtë kontratën për hapjen e dritareve në këtë objekt.

Këshilli Prokurorial kishte marrë vendim për reduktimin esencial të aktiviteteve të punës në Objektin C të Pallatit të Drejtësisë, aty ku janë të vendosura Prokuroria e Apelit dhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Sipas KPK-së ky reduktim në këto dy prokurori kishte ardhur si rezultat i gjendjes së renduar në këtë objekt, si pasojë e mungesës së theksuar të oksigjenit dhe problemeve shëndetësore të shfaqura në baza ditore tek prokurorët dhe stafi mbështetës i këtyre dy prokurorive.

/GazetaSinjali/