image Për rreth një javë dy vetëvarje në duart e shtetit - Sinjali

Alarmante/ Për rreth një javë dy vetëvarje në duart e shtetit

news image

Dukuria e vetëvrasjeve në Kosovë ka marr përmasa shqetësuese. Gjendja po bëhet edhe më alarmante kur rastet e  tilla të marrjes së jetës, ndodhin nën përkujdesjen e shtetit.

Vetëm brenda 9 ditësh në Kosovë, dy të burgosur i kanë dhënë fund jetës së tyre derisa ishin duke vuajtur dënimin.

Këto raste tragjike kanë ndodhur derisa të burgosurit, tashmë viktima, kanë qenë nën përkujdesjen e shtetit përkatësisht drejtuesve të qendrave të paraburgimeve. Në njërin prej rasteve, viktima vetëm se kishte paralajmëruar vetëvrasjen por  nuk kishte arritur të parandalohej.

Dy viktimat kishin përdorur metoda pothuajse të njëjta për ta privuar vetën nga jeta.

Kjo dukuri ka ngritur shqetësimin rreth nivelit të sigurisë, mbrojtjes cilësore dhe efektive të shëndetit dhe jetës së personave të privuar nga liria, nga autoritetet e këtyre qendrave të paraburgimit.

Më 28 gusht, saktësisht 9 ditë më parë, në qendrën e paraburgimit në Pejë u gjet i vdekur i burgosuri Binak Gjergjaj i cili dyshohej se i dha fund jetës duke u varur me çarçafë në banjon e kësaj qendre. Edhe përkundër tentativës për t’i dhënë ndihmë, ai nuk kishte arritur të kthehet në jetë. 52 vjeçari me prejardhje nga komuna e Klinës, po priste të ekstradohej në SHBA lidhur me dyshimin për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të gruas së tij në Amerikë, disa vite më parë. Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për këtë rast.

Ndërkohë mbrëmë, më 5 gusht, i riu nga Vushtrria Florim N. Imeri u gjet pa shenja jete në një qelinë e tij në Qendrën Korrektuese në Dubravë. Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës i burgosuri ka bërë vetëvarje me jelekun e tij në grilat prapa derës së dhomës së qelisë. 23 vjeçari ishte i dënuar me dy vjet heqje lirie për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe ishte në vuajtje të dënimit prej 9 janarit të këtij viti. Ai para se ta bënte këtë akt gjatë bisedave me psikologun e psikiatrin kishte përmendur mundësinë e vetëvarjes prandaj është vendosur nën përcjellje permanente.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut  ka shprehur shqetësim për vdekjen e personave të privuar nga liria gjatë vuajtjes së dënimit dhe ka kërkuar intervenim urgjent të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për të siguruar mbrojtje cilësore dhe efektive e shëndetit dhe jetës së personave të privuar nga liria.

KMDLNj kërkon hetime të shpejta të Prokurorisë së shtetit në mënyrë që të mësohen arsyet e mundshme që mund të kenë ndikuar në vdekjen e dyshimtë të burgosurit F.I./Sinjali/


Shpërndaje artikullin