image Për një ditë zbulohen disa raste të posedimit të narkotikëve, kapen dillerë e konsumues

Siguri

Për një ditë zbulohen disa raste të posedimit të narkotikëve, kapen dillerë e konsumues

news image

Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar drogë, e të shpeshtë janë edhe të miturit, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se brenda 24 orëve të fundit janë zbuluar disa raste.

Një 42-vjeçar u kap mat në fshatin Llukar pasi vetura me të cilën po udhëtonte u ndal për kontroll nga Policia që po patrullonte në atë zonë. Gjatë kontrollit trupor, të dyshuarit i është gjetur një sasi e substancës narkotike e cila dyshohet të jetë marihuanë. Narkotikët janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Me drogë të cilën e kishte bërë gati për shitje, u kap edhe një 21-vjeçar në Gjilan, shtëpia e të cilit u bastis mbrëmë nga Policia. Në kërkim të armëve ilegale të cilat dyshohej se i posedon gjilanasi, Policia ka hasur në substancë të dyshuar narkotike të cilat ishin ndarë në disa paketime. Narkotikët janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari është shpallur në kërkim policor pasi që i njëjti ndodhet në arrati. Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

E në orët e para të mëngjesit të sotëm, një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Henri Dunant’ në Prishtinë kanë ndalur për kontroll një person. Gjatë kontrollit trupor, tek i riu është gjetur dhe konfiskuar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ndërsa droga është konfiskuar.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

/GazetaSinjali/