Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve ukrainas që nuk janë afër vijës së frontit ende nuk besojnë se mund të ketë një sulm të mundshëm rus, ani pse situata është tensionuar. Ata shpresojnë që kriza Rusi-Ukrainë të mbyllet me bisedime dhe dialog.
Ekskluzivisht për ABC News, gazetarja Linda Karadaku intervistoi live nga Lviv një çift ukrainas, Jerosllavin dhe Natali. Si e shohin ata situatën, a i frikësohen sulmit rus që është paralajmëruar të ndodhë sonte në Ukrainë nga burime jo zyrtarë dhe çfarë presin nga e nesërmja?
Jerosllav shpreson që një sulm i tillë mos të ndodhë as sonte e asnjëherë. Ai dëshiron një jetë të qetë për familjen e tij, pa tensione e pa sulme luftarake.Qytetari ukrainas shprehet pozitiv ndaj Rusisë, ai thotë se 2 popujt kanë jetuar në paqe në 40 vitet e fundit dhe se ai nuk ka asgjë kundër popullit rus.
“Shpresoj që sulmi mos ndodhë jo vetëm këtë natë, por asnjë ditë, e asnjë natë. Ne kemi familjen këtu, kemi dhe beben tonë të vogël. Për mua nuk ka krizë. Ne kemi shkuar mirë me ta për 20 deri në 40 vjet. Ne jemi një vend i pavarur, ne jetojmë në paqe”, tha Jerosllav.
Qytetari ukrainas thotë se njerëzit po largohen nga vendi për shkak të propagandës që po bëhet nga lajmet.
“ Dëgjojmë lajmet, informacionet që ndryshojnë brenda ditës, njerëz që po ikin nga Donbasi, por ne jemi vend i pavarur. Kjo është propagandë, po iu thuhet që do të sulmojë ushtria, por në fakt nuk është kështu”, u shpreh ai.
Çfarë pret nga e nesërmja
“Pres një ditë të bukur me diell, ashtu sikur është sot dhe të jem me familjen time”, tha Jerosllav.
Ndërkohë ushtria ukrainase deklaroi në mëngjes se një ushtar u vra në një seri bombardimesh nga separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore të shtunën në mëngjes dhe se përshkallëzimi i dhunës këtë javë ngre shqetësime se Rusia mund të ndërmarrë veprime ushtarake.
“Gjatë bombardimeve, një ushtar ukrainas u plagos për vdekje nga një fragment predhe,” konfirmoi administrata ushtarake në Ukrainën lindore.
Ushtria ukrainase shkruan në faqen e saj në Facebook se ka regjistruar 19 shkelje të marrëveshjes së armëpushimit nga separatistët të shtunën në mëngjes, krahasuar me 66 raste në 24 orët e mëparshme.