image Për 7 mijë euro borxh i kërkoi truall në vlerë të 150 mijë eurove në Prishtinë ose do ta vriste me familje

Siguri

Për 7 mijë euro borxh i kërkoi truall në vlerë të 150 mijë eurove në Prishtinë ose do ta vriste me familje

news image

Shtatë krerë lopë të cilat i kishte blerë me marrëveshje në shtator të vitit 2019 për 9 mijë euro mund t’i kushtonin me jetë një banori të Mitrovicës dhe familjes së tij, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai është kërcënuar nga shitësi se do të vritet bashkë me familjen e tij, nëse nuk ia kthen borxhin, ani pse marrëveshja nuk ishte e tillë.

Sipas marrëveshjes, blerësi kishte paguar 2 mijë euro në fillim dhe 7 mijë të tjera do t’ia jepte shitësit në janar të vitit 2020.

Por, për shkak se blerësi nuk arriti që t’ia shlyente borxhin, shitësi ia rriti ‘kamatën’, duke kërkuar që t’ia kthente 12 mijë euro, e më pastaj 100 mijë sosh.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Mitrovicë kanë bërë të ditur se shitësi ka kërkuar nga blerësi i lopëve që të blejë truall në Prishtinë në vlerë të 150 mijë eurove dhe më pas ta vendos atë truall në emrin e tij ose do ta vrasë me tërë familjen.

Viktima e ka raportuar rastin dje në polici dhe Gazeta Sinjali mëson se me vendim të prokurorit është iniciuar rasti “kanosje dhe fajde”.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Po, rasti është raportuar dje në polici nga ana e ankuesit. Sipas prokurorisë është klasifiku si ‘kanosje dhe fajde’. Hetimet kanë fillu me dyshime për këto vepra”, tha ai.

Gazeta Sinjali ka provuar që ta konfirmojë edhe zyrtarisht rastin nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, por nga zyra e mediave kanë qenë të paqasshëm./Gazeta Sinjali/