image Pejani s’e pranon ndarjen nga gruaja, 30-vjeçaren e ngujon brenda banesës dhe s’e lë të ikë

Siguri

Pejani s’e pranon ndarjen nga gruaja, 30-vjeçaren e ngujon brenda banesës dhe s’e lë të ikë

news image

Telashet mes çifteve të cilët kanë zgjedhur që jetën ta ndajnë me njëri-tjetrin, bëjnë që ato shpesh herë të eskalojnë në dhunë psikike e fizike mes partnerëve. Atëherë kur problemet nuk kanë zgjidhje, shumë gra zgjedhin që të shpëtojnë nga dhuna përmes procesit të ndarjes. Por jo gjithmonë, problemet marrin fund me ndarje, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i rëndë ka ndodhur në qytetin e Pejës, ku një grua dyshohet se u mbajt e mbyllur brenda banesës për një kohë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se është pikërisht burri me të cilin ajo kishte bashkëjetuar e me të cilin ka dy vite që është ndarë, ai që e mbylli kundër dëshirës së saj në një banesë në rrugën ‘Papa Klementi’.

I gjithë makthi mori fund pas denoncimit të rastit në Polici, me ç’rast njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kanë gjetur të ngujuar brenda banesës gruan 30-vjeçare.

Ajo para hetuesve policorë ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar, ku ndër të tjera ka bërë të ditur se nga bashkëjetesa me të dyshuarin ka dy fëmijë.

Në gjendje të mirë fizike, ajo është dërguar në strehimore, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Privim i kundërligjshëm i lirisë’.

/GazetaSinjali/