Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate përsëri ka kthyer në qendër të vëmendjes fjalimin e Kadri Veselit në Kuvendin e Kosovës të bërë gjatë ditës së djeshme.
Aty thuhet se për rastin e Astrit Deharit, Albin Kurti ose partia që ishte në pushtet dhe tash është në koalicion duke aluduar në LDK-në, duhet të shkojnë njëra në burg.
“Partia Demokratike e Kosovës mirëpret interesimin, ndonëse me vonesë, të pushtetit të ri dhe mediave për zbardhjen e rastit së Astrit Deharit, pas parlajmërimeve të Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës për zbardhjen e këtij rasti”.
“PDK-ja do t’i shkojë deri në fund secilës temë të përmendur në seancën e djeshme nga Kryetari Veseli. Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës ka treguar se ka dyshime serioze për rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit. Për këtë rast, duhet të shkojë dikush në burg; ose Albin Kurti, ose nomeklatura e atëhershme e pushtetit, një pjesë e së cilës është edhe sot në koalicionin qeverisës”, thuhet në njoftim
Më tutje thuhet se PDK do të kërkojë të ngritët Komision Hetimor Parlamentar për rastin e Astrit Deharit.
“Kjo është një nga temat më serioze për të cilën është abuzuar shumë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja do ta trajtojë si një nga temat më urgjente në Kuvendin e Kosovës, përmes ngritjes së Komisionit Hetimor Parlamentar”, thuhet në njoftimin e PDK-së./Gazeta Sinjali/