image PDK thotë se Kurti, Abazi e Sveçla i morën këto të dhëna nga dhoma e përgjimeve në Telekom

Politikë

PDK thotë se Kurti, Abazi e Sveçla i morën këto të dhëna nga dhoma e përgjimeve në Telekom

news image

Partia Demokratike të Kosovës ka vazhduar akuzat e rënda drejt kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në vazhdën e akuzave të bëra të mërkuren nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi lidhur me shkuarjen në dhomën e përgjimeve të Telekomit.

Në një konferencë për media, deputeti i kësaj partie, Sejdi Hoxha, ka thënë se të dhënat e mbi 1 milion qytetarëve të Kosovës dhe komunikimet e tyre 20 vjeçare “janë në duart e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila tani e tutje do të shantazhojë secilën familje kosovare dhe qytetar të këtij vendi”.

Kjo parti në të njëjtën kohë i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet, duke kërkuar arrestimin e të gjithë zyrtarëve të lartë në Telekom “që lejuan këtë vizitë të paligjshme të zyrtarëve të lartë të qeverisë në këtë dhomë”.

“Qytetarët e Kosovës janë shqetësuar për veprimin e paprecedent, të rrezikshëm, të paligjshëm dhe arbitrar të kryeministrit në largim Albin Kurti, zëvendësit të tij, Haki Abazi dhe Ministrit të brendshëm, Xhelal Sveçla për hyrjen e tyre të paligjshme në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës në muajin maj të këtij viti”, ka thënë Hoxha në konferencë. 

Sipas tij, “gjatë kësaj vizite të paligjshme dhe të rrezikshme, është konfirmuar që janë fikur për disa ditë kamerat e sigurisë që monitorojnë dhomën e serverëve të përgjimeve. Dhe nga kjo dyshohet që përmes këtyre zyrtarëve të lartë të qeverisë janë futur persona të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë marrë të gjitha komunikimet, telefonata dhe mesazhet e qytetarëve të Kosovës të ruajtura për 20 vite”. /Gazeta Sinjali/