Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka mbajtur një konferencë për media, lidhur me tenderët njëburimor nga Ministria e Infrastrukturës, e cila drejtohet nga ministri Liburn Aliu.
Sipas deputetes Hoxha, Ministria e cila drejtohet nga ministri Aliu, brenda një viti ka lidhur 42 kontrata për punë shtesë, për të cilat nuk është zhvilluar procedura e prokurimit, shkruan Gazeta Sinjali.
”Me 18 prill të këtij viti, përmes një konference të ngjashme për shtyp, ju kemi adresuar mediave dhe qytetarëve, për të ngritur shqetësimet tona të bazuara rreth keqpërdorimit të pushtetit në Ministrinë e Infrastrukturës, duke prezantuar fakte e dëshmi për atë që ne e konsiderojmë si një ndër aferat më të dyshimta korruptive brenda kësaj ministrie. Përkatësisht, ku nga vetëm 22 marsi i vitit 2021, e deri me 7 prill të këtij viti, pra për një vit e dy javë, Ministria e Infrastrukturës kishte lidhur gjithsej rreth 42 kontrata një burimore, duke keqpërdorur hiq më pak se rreth 9 milionë euro para të taksapaguesve, përmes procedurës së shpërblimit e marrëveshjeve nën tavolinë”, tha deputetja Hoxha.
Përveç kësaj, deputetja Hoxha ka kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit të Infrastrukturës, duke thënë se kjo është më e pakta që ai mund të bëjë.
”Më e pakta që mund të bëjë Liburn Aliu është që të japë dorëheqje morale”, ka thënë Hoxha.
Gjithashtu Hoxha tha se Ministria e Mjedisit është shndërruar në mjedis ekskluziv, për korrupsion e abuzim nga pushteti.
”Në rrethana të tilla kur një ministri e rëndësishme siç është ajo e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është shndërruar në mjedis ekskluziv për korrupsion e abuzim nga pushteti, dhe kur dyshimet tona të bazuara si dhe dyshimet fakto grafike të prezantuara edhe nga mediat e lira investigative tashmë e kanë nxjerrë në pah atmosferën korruptive që mbretëron në ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu, e cila atmosferë ka protagonistë të veçantë me emër e mbiemër, jo vetëm që s’kemi parë llogaridhënie e përgjegjësi, por kemi parë një mësymje të pushtetit për të legjitimuar e amnistuar këta protagonistë, gjë që flet qartë se këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me emra të përveçëm, por më një sipërmarrje politike qeveritare që është e prirur për korrupsion e abuzim”, tha Hoxha në konferencë.