image PDK refuzon ftesën e Hotit për takim, thotë se qasja e tij është joserioze

Politikë

PDK refuzon ftesën e Hotit për takim, thotë se qasja e tij është joserioze

news image

Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka refuzuar ftesën e kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti për takim, para se të niset për në Washington, ku do të zhvillojë bisedime me palën serbe, shkruan Gazeta Sinjali.

Në reagimin e PDK-së thuhet se qasja e Hotit është joserioze dhe vazhdimësi e ish qeverisë Kurti.

“Qasja e Kryeministrit Avdullah Hoti, duke dërguar fillimisht ftesa nga rrjetet sociale dhe studiot televizive, nuk është serioze. Kjo është vazhdimësi e ish Qeverisë Kurti. Ftesa e dërguar nga Kryeministri Hoti, në mënyrën si është bërë, pa konsultim paraprak, është veprim i qëllimshëm i dështimit të takimit të nesërm”, thuhet në reagimin e tyre.

Sipas Partisë Demokratike të Kosovës, Hoti duhet të reflektojë dhe të dërgojë ftesë tjetër siç kërkojnë ata “më serioze”.

“Kosova ka ndërtuar një traditë të mirë të koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve për çështje të rëndësishme nacionale. Por, sjellja e Kryeministrit Hoti është kundër këtij principi dhe nuk e ndihmon, por e dëmton, frymën e bashkëpunimit për një temë të rëndësishme siç është Dialogu. Urojmë që ky Kryeministër do të reflektojë para një ftese tjetër dhe do të jetë më serioz. Ndryshe, aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë edhe Kosova. BE ka ndihmuar Kosovën në agjendën evropiane dhe duhet të marrë përgjegjësi edhe në procesin e Dialogut”, thuhet më tej në reagimin e PDK-së./Gazeta Sinjali/