Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të kandidatit për kryetar të Drenasit nga një iniciativë qytetare, Driton Ajazit për kryetarin aktual Ramiz Lladrovcin dhe krerët e UÇK-së në Hagë.
Në komunikatë për media të PDK-së thuhet se kjo parti e dënon ashpër “fushatën e turpshme, linçuese e shpifëse” të Ajazit.
“I mësuar me logjikën e mashtrimeve e manipulimeve, Ajazi paturpësisht ka shpifur për procesin e Gjykatës Speciale, me të cilin po përballen liderët historikë të Kosovës dhe PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, ka thënë PDK.
Deklaratat e Ajazit se ka informata se kryetari Ramiz Lladrovci është dëshmitar kundër tyre, sipas PDK-së janë edhe një sulm ndaj luftës së drejtë e të shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prijësve të saj dhe secilit luftëtar të lirisë.
“Kjo është një shpifje që mund ta sajojnë vetëm mendjet mercenare si ato të Driton Ajazit dhe të sponsorëve të tij“, thuhet në komunikatë.
PDK u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Drenasit që ta ndëshkojnë me votë Ajazin.
“Iniciativa e Ajazëve dhe oportunistëve të ngjashëm në Drenas është produkt i kundërshtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe qëllimi i tyre i vetëm është dëmtimi politik e elektoral i PDK-së. Për këtë, secili prej tyre do të mbajë përgjegjësinë e vet politike dhe morale”. /GazetaSinjali/