Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj për krizën energjetike në Kosovë.
Kjo parti, përmes një komunikate për media, ka thënë se gjatë muajve të fundit, mbarë Evropa është duke përjetuar rritje marramendëse të çmimeve të energjisë elektrike, ndërsa sipas PDK, Qeveria e Kosovës po tregohet neglizhente dhe nuk ka marrë asnjë masë për të adresuar këtë krizë që po i afrohet me shpejtësi edhe Kosovës.
Çmimi i i rrymës në bursat e energjisë në rajon ka arritur në trefishin e çmimit të një viti më parë. E ky çmim pritet të rritet gjatë stinës së dimrit.
“Kjo krizë ndërkombëtare kërcënon furnizimin e rregullt dhe me çmime të pa përballueshme të qytetarëve dhe bizneseve, duke rrezikuar kështu stabilitetin ekonomik, mirëqenien e qytetarëve dhe vetë sigurinë kombëtare”.
“Prandaj, do të duhej që Qeveria të planifikonte muaj më parë për dimrin, duke siguruar më herët kontrata për blerjen e energjisë në atë periudhë kur çmimi në bursat e energjisë ishte ende i ulët“.
“Ndryshe nga Qeveria e Kosovës, qeveritë e shumë vendeve, prej kohësh janë vënë në lëvizje dhe po marrin masa që të përballen me pasojat e rënda të pakësimit të burimeve të energjisë dhe të rritjes së paprecedent në një kohë të shkurtër të çmimeve”.
“Mirëpo, Qeveria e Kosovës jo vetëm që është treguar e paaftë dhe e papërgjegjshme për t’i paraprirë adresimit të gjendjes së vështirë energjetike të dimrit, por edhe ka ndërmarrë veprime të dëmshme në fushën e energjisë. Dështimi i projektit të ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’ dhe bllokimi i projektit për infrastrukturën e gazsjellësit dhe termocentralit me gaz shkojnë ndesh me interesin e Kosovës për të pasur pavarësi energjetike dhe shtim e diversifikim të burimeve të saj prodhuese të energjisë. Për më keq, është revoltues edhe lajmi për bllokimin e disa investimeve strategjike në energji të ripërtëritshme”, thuhet në komunikatë./GazetaSinjali/